Lajm i mirë nga Spanja, shërohen të gjithë futbollistët e Valencias
Njësoj si në Itali, Spanja është një tjetër shtet europian që po përballet me një numër të lartë personash të prekur nga Covid-19. Gjithashtu shqetësues është edhe numri i lartë i viktimave, çka ka bërë që qeveria spanjolle të ndërmarrë masa shtrënguese.
Në La Liga kanë qenë të shumë futbollistët e prekur nga Covid-19 dhe një prej skuadrave që e kanë vuajtur më së shumti këtë pjesë është Valencia.
Pikërisht në sfidën kundër Atalantës në Champions, që konsiderohet edhe vatra kryesore e përhapjes së virusit rreth 35% e stafit të Valencias rezultoi pozitiv ndaj testit të bërë, ndërkohë që për shkak të privatësisë klubi preferoi t’i mbante të fshehte emrat e personave që ishin prekur.
Sidoqoftë, pas një jave stresuese për personat e prekur, tashmë duket se gjithçka po i rikthehet normalitetit, sepse sipas asaj që bëjnë me dije mediat spanjolle të gjithë personat që ishin prekur nga Covid-19 tashmë janë shëruar plotësisht. Pra asnjëri prej lojtarëve apo pjesëtarëve të stafit nuk ka më arsye për t’u shqetësuar, pasi testet e bëra kanë rezultuar negative.



