Lamtumira e Bregut, djaloshit që u kthye në hero në Gjirokastër
Të gjithë në këmbë. Të gjithë duke e duartrokitur dhe brohoritur.Në këtë mënyrë Gjirokastra përshëndeti heroin e saj, Dejvi Bregu.Djaloshin që u afrua pa shumë zhurmë dy vjet e gjysmë më parë dhe që ndeshje pas ndeshje, javë pas jave, ngriti të gjithë qytetin në këmbë. Të paevitueshme lotët e sulmuesit. Rrahja e zemrës për ti treguar Luftëtarit dhe tifozëve se do të kenë aty gjithmonë një vend special. Ky ishte ambienti që pavarësisht ndonjë reagimi të pavend, më se shumti në varësi të emocioneve, gjithmonë i ka treguar mbështetjen dhe vlerësimin që meritonte.
Luftëtari besoi te djaloshi i rritur në Vlorë, aty ku realisht e kuptuan potencialin e vërtetë të xhevahirit që kishin në dorë. Si rallëherë në Shqipëri, te Flamurtari i dhuruan një 16-vjeçari debutimin me ekipin e parë. Kjo ndodhi në vitin 2012. Megjithatë, në katër vite e gjysmë, Bregu luajti në total vetëm 26 ndeshje. Kuqezinjtë ishin një skuadër pretendente dhe në presionin e rezultateve dhe blerjeve të bujshme. Dejvi zgjodhi të largohej. I nevojitej një ekip ku mund të luante rregullisht për tu rritur.Në Gjirokastër i krijuan ambientin e përshtatshëm. E lejuan të luante lojën e tij: Të rafinuar, emocionuese! Pjesa tjetër është histori. Pasi e ndihmoi Luftëtarin të kthehej në elitën e futbollit në vitin 2016, në dy sezonet e fundit ai ishte mes protagonistëve të ecurisë mbresëlënëse të bluzinjve, deri te kualifikimi historik në Europë që është në kasafortë.
Në merkaton e janarit drejtuesit e Flamurtarit provuan ta kthenin në skuadër, por Bregu zgjodhi të firmoste me Skënderbeun. Ndoshta mllefi për largimin si i panevojshëm nga skuadra e qytetit të tij ende nuk ishte venitur plotësisht. Pa e kuptuar, në Vlorë humbën një talent, ndërsa kampionati fitoi një prej yjeve të tij. Ndoshta një ditë, në të ardhmen, Dejvi Bregu do të kthehet në ekipin e vendlindjes për të marrë vlerësimin që meriton dhe për të qenë lojtari që të gjithë e adhurojnë. Rrugët e futbollit janë të panumërta dhe kurrë nuk mund të thuash kurrë. Ndërkohë, 22-vjeçari do të vazhdojë karrierën, te Skënderbeu ose në një ligë europiane. Kjo mbetet për tu vendosur në javët në vazhdim.



