Lamtumira e Griezmann, Atletico piketon “yjet” për ta zëvendësuar
Antoine Griezmann nuk do të jetë më pjesë e “Los Colchoneros”, kështu që Ateltico Madridi ka nisur nga puna, duke përpiluar një listë me kandidatë potencialë që do të mbushnin boshllëkun e madh që krijon largimi i sulmuesit francez, një prej aseteve më të çmuara të kësaj organike.
Paulo Dybala është një prej emrave që nis të lakohet në klubin spanjoll. Me kalimin e portugezit Cristiano Ronaldo tek Juventusi, sulmuesi argjentinas ka kaluar në plan të dytë për trajnerin Allegri, duke humbur edhe minutazhin në fushën e blertë. Dybala numëron këtë sezon vetëm 10 gola, 5 prej të cilëve në Champions. Sidoqoftë, Dybala mbetet një prej sulmuesve të talentuar, që vlerësohet 100 milionë euro.

Një tjetër emër i madh që lidhet me klubin madrilen është uruguaiani Edinson Cavani, por bllokada e PSG-së dhe paga e lartë e lojtarit janë bërë pengesë. Tashmë që “Los Colchoneros” do të lirohen nga paga e larë e Griezmann, mund edhe të bëjnë hapa para drejt një transferimit të Cavanit, pavarësisht moshës së tij (32- vjeç).
Mauro Icardi gjithashtu ka qenë një objektiv merkatoje për Atléticon. Ish-kapiteni i Interit aludohet që në fundin e sezonit t’u japë lamtumirën zikaltërve, edhe pse mbetet një prej goleadorëve që bën diferencën. 16 janë golat e tij në 35 ndeshjet e këtij sezoni plot ulje-ngritje. Vlera e tij arrin në 90 milionë euro, por me cilësitë që zotëron ky lojtar, shifra është tërësisht e justifikuar.



