Largimi i Hasit, mediat greke: E bëri Olimpiakosin të vogël
Nuk e pritën aspak mirë emërimin e Besnik Hasit në krye të Olimpiakos dhe menjëherë pas shkarkimit, mediat greke sulmuan trajnerin shqiptar. “Hasi, që me zgjedhjet e tij, e bëri Olimpiakosin të vogël”, shkruante portali sportiv ‘contra.gr’, duke kritikuar hapur zëvendësimet e gjakovarit, në derbin ndaj AEK-ut.
Mediat greke ndalen kryesisht te ndeshja ndaj AEK, e cila ishte edhe shansi i fundit i Hasit për të vazhduar në krye të skuadrës së Pireut. Ato theksojnë se Olimpiakosi i Hasit kishte probleme të theksuara në mbrojtje, por trajneri shqiptar zgjodhi të tërhiqet mbrapa kur rezultati ishte 0-2 dhe pikërisht ky repart zhgënjeu sërish duke pësuar tre gola. “Mbrojtja e Olimpiakos ka probleme të shumta. Kjo u pa ndaj Sportingut dhe është pranuar edhe nga vetë Hasi. Kurrësesi nuk duhej që ekipi të tërhiqej në mbrojtje të rezultatit”, shkruan portali tjetër grek ‘sport24.gr’.
Hasi mori drejtimin e kampionëve grekë në fillim të muajit qershor, por emërimi i tij u pasua me një sërë reagimesh negative në opinionin sportiv grek. Kualifikimi në grupet e Champions i ‘vuri në gjumë’ kritikët e Hasit, por rezultatet negative në javët e para të kampionatit i kushtuan shtrenjtë teknikut gjakovar.



