Merkato

Largimi nga “Camp” Nou” i nxituar, Barça e Neymar projektojnë ribashkimin

Barcelona nuk ka hequr dorë nga Neymar. Siç raportojnë mediat spanjolle, katalanët janë duke u përgatitur për operacionin që projekton rikthimin e “yllit” brazilian në “Camp Nou”. Sipas raportimeve të fundit, mësohet se drejtuesit katalanë kanë qenë në kontakte te vazhdueshme me sulmuesin dhe përfaqësuesit e tij për të realizuar rikthimin e tij në Spanjë.

Edhe pse koha e shpenzuar në “Parc des Princes” e ka shpërblyer sulmuesin me gola, çmime dhe trofe, sërish 26-vjeçari nuk ndihet i lumtur te skuadra kryeqytetase e PSG-së, ndaj dëshiron largimin. Neymar është sforcuar të shuajë zërat e një lamtumire të tij nga klubi i sheikut Al-Khelaifi, gjithsesi, kjo nuk i ka ndalur spekulimet mediatike, të cilat po rezultojnë të sakta tanimë që mësohet se vetë ai ka iniciuar bisedimet me drejtuesit e Barçës për atë që para disa kohësh konsiderohej si një transfertë e pamundur.

Largimi i nxituar i Neymarit nga organika e Valverdes krijoi një boshllëk që, me gjithë dëshirën e mirë të klubit, duket se nuk është mbyllur. Zhgënjimi i tifozëve ishte gjithashtu i konsiderueshëm, ndaj katalanët e kanë lënë mënjanë krenarinë dhe po përgatiten t’i japin mirëseardhjen talentit “O’Ney”.

Duke qenë se pala spanjolle e ka bërë hapin e parë me deklaratën e Pep Seguras, që u shpreh se një rikthim i tij nuk është i pamundur, tashmë pritet hapi i radhës nga vetë lojtari, që shumë shpejt mendohet se do të bëjë një deklaratë publike, për t’u shprehur se ndihet i palumtur në Paris dhe se kërkon rikthimin në mënyrë që të fitojë sërish pëlqimin e tifozërisë katalane.

Ky, në fakt, është kushti i Barçës. Burimet flasin se për ta bërë të mundur kalimin e tij në “Camp Nou”, sulmuesi është i gatshëm edhe të pranojë një pagë më të ulët. Aktualisht paga e tij te PSG përkon me 40 milionë paundë, shifër kjo larg mundësive të “blaugranave”.  Për më tepër, që për rikthimin e tij duhet kompensuar edhe PSG, pas investimit marramendës që bënë për atë që kurorëzuan si “Princi i Parisit”.

Tratativat janë ende duke u zhvilluar mes Barcelonës dhe Neymarit dhe me t’u arritur akordi mes tyre vëmendja do të kthehet në atë që përkon të jetë tashmë pala e tretë, gjigantët e Ligës së Parë, PSG.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency