Ikën edhe Balde, Kukësi mbetet pa sulmues
Një repart për tu ndërtuar nga 0. Kukësi do të duhet të formojë që në embrion sulmin, një mision i vështirë, kur flitet për një repart që kërkon futbollistë me shumë cilësi, të aftë për të vendosur fatet e një takimi.
Aliev u largua ne janar ndërsa një muaj më vonë ishte rradha e Elis Bakajt. Pak javë përpara përfundimit të sezonit Sindrit Guri nënshkroi kontratën me Ostenden dhe duke nisur nga qershori do të jetë pjesë e skuadrës belge. I fundit i “mohikanëve” që e mbylli avënturën e tij tek blutë ishte Amido Balde. Drejtuesit kanë vendosur të nënshkruajnë dokumentat e divorcit me sulmuesin nga Guinea Bissau, i cili në përvojën e tij me kuksianët u frenua nga disa dëmtime dhe e mbylli me vetëm 2 gola të shënuar në kampionat.
Lëvizjet e para për të rindërtuar sulmin kanë nisur, emri i Sebino Plakut është i pari që ka dalë mbi sipërfaqe, por marrëveshja është ende larg edhe pse lojtari kërkon të kryejë i qetë periudhën e pushimeve. Koha shtrëngon pasi në mes të qershorit, blutë do të rindezin motorët dhe objektivi i presidencës është i qartë, kalimi i sa më shumë raundeve në Europa League, megjithatë “handikapi” për momentin është tejet i madh, tek Kukësi nuk ka më se kush të shënojë gola.



