Lautaro i jep fitoren Interit, Napoli nuk shfrytëzon ndalesën e Juves
Një gol i Lautaro Martinezit në minutën e 91-të të takimit, vendosi fatin e takimit më të rëndësishëm të javës së 18 të kampionatit italian, mes Interit dhe Napolit, të zhvilluar në stadiumin “San Siro”.
Të dy skuadrat dhuruan një futboll spektakolar dhe një luftë të vërtetë burrërore në fushë, ndonëse goli erdhi vetëm në minutat e fundit, pas disa tentativave të dështuara nga ana e të dy palëve.
Interi i Spallettit ishte skuadra që e kërkoi më shumë fitoren, si për nga mënyra se si bënte presionin në fushë, ashtu edhe nga zëvendësimet e teknikut, që shtoi forcat në sulm, në minutat e fundit të sfidës, duke hedhur në fushë edhe autorin e golit.
Nga ana tjetër, vlen të theksohet se Napoli u penalizua edhe nga fakti se luajti me 10 lojtarë 10 minutat e fundit, pasi Koulibaly u ndëshkua me karton të verdhë për një faull ndaj Politanos, por ironizoi vendimin e gjyqtarit, duke marrë edhe të verdhin e dytë, që e nxori nga fusha.
Kur kishin mbetur edhe 30 sekonda nga vërshëllima finale e Mazzolenit, edhe kapiteni napolitan Lorenzo Insigne mori karton të kuq direkt, pasi shfryu ndaj arbitrit për një faull të dhënë në favor të Interit.
Pas kësaj sfide, Interi ngjitet në kuotën e 36 pikëve, në vendin e tretë, ndërsa Napoli mbetet i dyti me 40 pikë, duke mos shfrytëzuar hapin fals të Juventusit, për të reduktuar diferencën me kreun.



