Lautaro i kundërpërgjigjet Mbappesë, flet edhe për Dybalan
I grumbulluar nga trajneri Scaloni për ndeshjen “Finalissima” mes Argjentinës dhe Italisë, Lautaro Martínez ka folur për mikrofonat e “Tyc Sports” për çështje të ndryshme. Intervista nisi me sfidën e 1 qershorit.
“Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne, përtej faktit që Italia ka mbetur jashtë këtij Botërori. Ne i dimë karakteristikat e tyre, lojtarët e tyre… Ata janë një rival i nivelit të lartë. Kemi një test shumë të rëndësishëm përpara për të kuptuar se ku jemi”.
Pas kësaj, radhën e kishte një çështje e diskutueshme që lindi si rezultat i disa deklaratave të Mbappesë, i cili argumentoi se ka një nivel shumë më të lartë në kualifikueset evropiane sesa në ato të organizuara nga Conmebol. Për këtë temë, Lautaro u përgjigj:
“Po, e pashë se çfarë tha, por Argjentina dhe Brazili kanë lojtarë të një niveli shumë të lartë. Brazili, si ne, e ka shumicën e lojtarëve në Evropë. Mendoj se nuk është e drejtë kjo deklaratë.”
Lautaro shfrytëzoi momentin për të folur edhe për Dybalan, i cili aktualisht është pa skuadër dhe mund t’i bashkohet Interit.
“Dybala tani po mendon për Kombëtaren dhe e ardhmja e tij do të vendoset kur të mbarojnë këto ndeshje. Ai është një lojtar me cilësi, personalitet dhe shpresoj të luajë aty ku ndihet më komod, aty ku është i lumtur”.



