Lazio-Juve, “gladiatori” Ronaldo ezauron “Olimpicon”
Cristiano Ronaldo bën që turmat ta ndjekin. Magjia e tij është ngjitëse, madje gjithëpërfshirëse. Tifoz ose jo, çdokush do të kishte dëshirë që të pakën një herë në jetë të ndiqte “live” një ndeshje ku luan ai, “fenomeni” 33- vjeçar, apo për shumë, më i miri në botë. Sigurisht që jo vetëm tifozët juventinë, por edhe rivalët. Në këtë mënyrë faktori “Cristiano Ronaldo” është më real se kurrë.
Këtë e vërtetojnë shifrat e tifozëve nëpër stadiume, kërkesat e larta ose të shumëfishuara për bileta. Ditën e diel sulmuesi i bardhezinjve do të zbarkojë në Romë për të debutuar në arenën e “Olimpicos” me fanellën e bardhezinjve. Këtë herë si një i ftuar i klubit të Lazios.
Biletaritë krijuan radhë të gjata prej disa ditësh dhe tashmë të gjitha vendet janë ezauruar, duke parashikuar 60 mijë spektatorë ne “Olimpico”. Turmë entuziaste për “gladiatorin” Ronaldo.



