Lazio kërkon të “blindojë” përjetë Ciro Immobilen
Tjetër zhvillim pozitiv te Lazio, që bën të ëndërrojnë tifozët “bardhekaltër”. Presidenti Lotito dhe drejtori sportiv, Igli Tare, jo vetëm që po punojnë për të afruar të tjerë emra të mëdhenj në merkto, por po blindojnë futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës. Mësohet se bisedimet për rinovimin e kontratës me Ciro Immobilen janë drejt mbylljes dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes së re.
Sulmuesi italian, i blerë gjatë merkatos së verës në 2016-ën për 10 milionë euro nga Sevilla, do të firmosë një kontratë të re me kohështririje më të gjatë dhe me përmirësim të ndjeshëm të pagës. Aktualisht është i lidhur me Lazion deri në vitin 2021 dhe me një pagë 2 milionë euro në sezon. Do të shndërrohet më i paguari, pas paraqitjeve të jashtëzakonshme në këtë fillim sezoni. Brenda një kohe të shkurtër Immobile ka marrë rolin e liderit, duke qenë shembull si në fushë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes. Inzaghi e ka përzgjedhur kapiten të tretë, pas Lulicit dhe Parolos. Lotito kërkon ta lidhë sulmuesin e kombëtares italiane me projektin e tij afatgjatë.



