Lazio rikthehet e treta, nuk zhgënjejnë Fiorentina dhe Sampdoria
Lazio fitoi 0-3 në fushën e Suassuolos dhe rimerr vendin e tretë në Serinë A me 52 pikë, një më shumë se Interi. Bardhekaltrit i treguan “dhëmbët kundërshtarit që në pjesën e parë, duke realizuar shumë shpejt me Milinkovic-Savic dhe më pas me Immobilen me 11-metërsh. Sapo nisi fraksioni i dytë Miliknovic-Savic shënoi të dytin personal dhe të tretin për Lazion, që për pjesën e mbetur të takimit u mjaftua me administrimin e avantazhit të trefishtë. Të dyja skuadrat e mbyllën sfidën me nga një lojtar më pak, pas ndëshkimit të Berardit dhe më pas të Marusic me karton të kuq për lojë të rëndë.
Fiorentina u kursye ndaj Chievos, të cilën e mundi me rezultat minimal. Golin e vetëm të sfidës e realizoi Biraghi që në minutën e 6-të, por që mjaftoi për t’i dhënë tri pikë skuadrës “vjollcë”.
Sampdoria nuk e vuri në asnjë moment në dyshim fitoren ndaj Udineses, edhe pse rezultati në fund u fiksua në 2-1. Silvestre në pjesën e parë dhe Zapata në të 83-ën i çuan shifrat në 2-0, para se Silvestre të devijonte në portën e tij në minutat shtesë.
Me të njëjtin rezultat 2-1 Verona triumfoi ndaj Torinos, ndërsa Spal befasoi 2-3 Crotonen në derbin e fundtabelës, sfidë në të cilën Arlind Ajeti qëndroi gjatë gjithë kohës në stol në radhët e vendasve.



