Legjionarët/ Shkëlqejnë portierët, mbrojtësit luajnë pak, sulmuesit nuk gjejnë rrjetën
Një fundjavë jo fort pozitive, ishte kjo që lamë pas për legjionarët shqiptarë, pasi përveç portierëve, që bënë diferencën në skuadrat përkatëse, pjesa më e madhe nuk arritën të lënë gjurmë.
Veçanërisht sulmuesit nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë, pasi Uzuni u ndal nga shtylla, Cikalleshi e Balaj nuk bënë 90-minutësh të mirë, ndërsa Armando Broja pa nga tribuna humbjen tenistike të Southamptonit ndaj Chelseat.
Minutat dhe vlerësimi për kuqezinjtë në klubet e tyre këtë fundjavë:
Etrit Berisha (Torino-Milan 0-0) – 6.5
Gardiani kuqezi ka fituar tashmë vendin e titullarit në klubin “granata” dhe bëri një ndeshje mjaft të mirë ndaj Milanit, me 2-3 pritje vendimtare, që mbajtën rrjetën të paprekur dhe i dhanë një pikë Torinos ndaj kryesuesve të kampionatit.

Thomas Strakosha (Genoa-Lazio 1-4) – 6.5
Kur ndeshja ishte 0-0, bëri disa pritje të bukura e vendimtare, sidomos ndaj Ostigaard në pjesën e parë. Nuk mund të bëjë asgjë në autogolin e Patric.

Gentian Selmani (Bandirmaspor-Boluspor 3-0) – 5.5
Rikthim i hidhur për portierin shqiptar, që pas 5 ndeshjesh mungesë, zbriti në fushë nga minuta e parë mes shtyllave, por nxori tre herë topin nga rrjeta. Natyrisht nuk ishte fajtor kryesor për golat e pësuar, por tre janë shumë.

Kumbulla (Roma-Salernitana 2-1) 5.5
E nis sërish titullar në mbrojtjen me tre, por vuan jo pak shpejtësinë e Ederson, si dhe lodhjen e të enjtes në Conference League. Në minutën e 21-të shkakton faullin prej nga vjen edhe goli i Salernitanës, ndërsa kartoni i verdhë, e detyron Mourinhon ta lërë në dhomat e zhveshjes pas pjesës së parë.

Sa u takon pjesës tjetër të mbrojtësve, Berat Gjimshiti vijon të jetë i dëmtuar dhe nuk u grumbullua për transfertën ndaj Sassuolos, ndërsa Hysaj dhe Ardian Ismajli luajtën vetëm në minutat e fundit për Lazion e Empolin.
Keidi Bare (Espanyol-Celta Vigo 1-0) – 6.4
Mesfushori shqiptar është tashmë një titullar i padiskutueshëm i katalanëve dhe ndaj Celtës qëndroi në fushë për 66 minuta, duke bërë një ndeshje të mirë, por jo të paharrueshme.

Kristjan Asllani (Empoli-Spezia 0-0) – 6
Andreazzoli i beson “çelësat” e mesfushës, dhe djaloshi shqiptar përpiqet të organizojë lojën e të tijve, si dhe të prishë atë të kundërshtarit. Provon edhe me disa tentativa nga distanca, por pa arritur të dërgojë topin në rrjetë.

Nedim Bajrami (Empoli – Spezia) – 6
Edhe fantazisti kuqezi rikthehet titullar te Empoli, por në pjesën e parë vuan të gjejë pozicionin e duhur në fushë. Rritet ndjeshëm në pjesën e dytë, duke shërbyer disa topa interesantë.

Qazim Laçi (Ajaccio – Pau 2-1) – 6.7
Tjetër ndeshje si titullar për mesfushorin, që qëndroi në fushë gjatë gjithë kohës, por ndryshe nga takimet paraardhëse, nuk shfaqi të njëjtën qartësi në lojë. Gjithsesi skuadra e tij ia doli të marrë tre pikë mjaft të rëndësishme.

Ermir Lenjani (Grasshopers – Luzern 2-2) 7.2
Futbollisti 32-vjeçar shqiptar luajti titullar dhe arriti të asistojë në një nga golat e skuadrës së tij. Në përgjithësi bën një ndeshje mjaft të mirë dhe është padyshim nga më të mirët në fushën e lojës.

Endri Çekiçi (Rizespor – Konyaspor 2-1) – 7.1
Qëndron në fushë për 61 minuta dhe bën mjaft mirë si në qarkullimin e topit, ashtu edhe duelet e fituara. Lëviz në të gjithë hapësirën e fushës, por pa arritur të lërë gjurmë për të tijtë.

Sa i përket mesfushës, Klaus Gjasula mungoi sërish për shkak pezullimi, ndërsa Amir Abrashi vijon të jetë i dëmtuar dhe nuk luan që prej 20 marsit me skuadrën e Grasshopersit.
Myrto Uzuni (Sevilla – Granada 3-2) – 6.4
Rreshtohet sërish titullar në transfertën ndaj Sevillas dhe bën një ndeshje të mirë. Flirton edhe me golin, me një goditje mjaft të bukur nga distanca, por shtylla ia refuzon kënaqësinë e parë në kampionatin spanjoll.

Sokol Cikalleshi (Rizespor – Konyaspor 2-1) – 6.8
Sulmuesi kuqezi nuk arrin të gjejë rrjetën dhe Konyaspor nuk fiton dot. Megjithatë mbetet një pikë referimi në majë të sulmit dhe bën një tjetër ndeshje të mirë, ku i mungoi vetëm goli.

Rey Manaj (Empoli – Spezia 0-0) 5-5
Kthehet titullar në “derbin” ndaj Bajramit e Asllanit, por bën shumë pak për të ndihmuar skuadrën e tij. Është i paqartë në lëvizje dhe humb shumë topa, ndonëse Motta e lë në fushë për plot 81 minuta.

Bekim Balaj (Bandirmaspor – Boluspor 3-0) – 6
Qëndron në fushë 90 minuta dhe bën vetëm një gjuajtje në portë. Vuan një pasdite të keqe për skuadrën e tij dhe nuk bën asgjë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

Ndërkohë, Armando Broja pa nga tribuna humbjen 6-0 të Southamptopnit ndaj Chelsea-t, pasi në kontratën e huazimit është parashikuar që nuk mund të luajë ndaj londinezëve.



