Leicester blindon talentin e mbrojtjes, francezi rinovon deri në vitin 2027
Wesley Fofana do të vazhdojë të jetë pjesë e Leicester deri në vitin 2027, me klubin që i ka rinovuar kontratën mbrojtësit francez. I cilësuar si një nga futbollistët më me perspektivë në këtë repart, 21-vjeçari kishte fituar vëmendjen e shumë top klubeve në Europë, teksa më të interesuarit ishin Manchester United dhe Chelsea. Gjithsesi, “Dhelprat” lëvizën në kohë dhe tashmë kanë kontrollin në të ardhmen e francezit të talentuar.
Për fat të keq Fofana në këtë sezon është penalizuar nga një dëmtim i rëndë teksa në një nga miqësoret parasezonale ndaj Villareal theu këmbën. në këtë formë lojtarin që nuk shkel fushën prej muajit gusht. Gjithsesi, periudha më e vështirë për të duket se ka përfunduar dhe në javët në vijim pritet të bashkohet sërish me pjesën tjetër të skuadrës nën urdhrat e trajnerit Brendan Rodgers.
Fofana u transferua te Leicester në vitin 2020 nga francezët e Saint Etienne për shumën e 36.5 milionë paundëve duke regjistruar 28 paraqitje me fanellën e skuadrës së Premier League.



