Leonardo i larguar, dy kandidatë për ta zëvendësuar
Mbetet thjesht për t’u kuptuar nëse largimi do të ndodhë nëpërmjet shkarkimit apo vetëdorëheqjes, sepse është e qartë që Leonardo nuk bën më pjesë në planet e Milanit të së ardhmes. Një vendim ky i Gazidis, që pas muajve të parë në detyrë, ka nisur nga lëvizjet strategjike, qofshin ato ekonomike apo sportive.
Administratori i ri i kuqezinjve iu bashkua klubit vetëm 6 muaj më pare, kur u transferua nga Arsenali me vendim të grupit Elliott, ka ndjekur nga pranë punën e drejtorit sportiv gjatë merkatos së dimrit dhe pavarësisht raportit pozitiv mes tyre, është duke kërkuar zëvendësuesin e tij. Emrat që lakohen si pasues të Leonardos janë dy: Luis Campos dhe Igli Tare.
Sikurse raportojnë mediet, drejtori sportiv i Lille mësohet të ketë dhënë dorëheqjen e parakohshme nga detyra aktuale për të nisur këtë aventurë të re, gjithsesi ende në këtë drejtim nuk ka asgjë zyrtare, ndaj mbetet thjesht në kuadrin e aludimeve. Emri tjetër me peshë në listën e Gazidis siç thamë është ai i Igli Tares, një nga më të vlerësuarit në Itali për rolin e tij e që përgjatë viteve ka treguar nuhatje të shkëlqyer në gjurmimin e talenteve të reja, që më pas janë shndërruar në “yje” të fushës së blertë. Prandaj, mes tij dhe Campos luhet tashmë një sfidë kokë më kokë për këtë rol drejtues në organikën e Milanit.
Drejtori sportiv i Lazios, Tare, pavarësisht marrëdhënieve të konsoliduara në vite me presidentin Lotito, këtë sezon ka patur kontraste me të, çka mund të orientojë drejt prishjes së bashkëjetesës. Mbetet për t’u parë se për kë do të vijë konfirmimi.



