Leonardo mendon për sezonin tjetër, synohet ylli i PSG-së
Dukej sikur Milano po shkonte drejt një tjetër sezoni të dështuar, por largimi i kinezit Li Yonghong dhe marrja e pronësisë së klubit nga amerikanët e “Elliot”, duket se sollën ndryshimin e shumëpritur.
Menjëherë u larguan nga skuadra Fassonne, Mirabelli dhe të gjithë personat e punësuar në periudhën e Milanit kinez dhe drejtimin e klubit e morën emra si Leonardo dhe Maldini, që kanë djersitur për të nderuar fanellën e skuadrës, kur luanin në fushë.
Menjëherë braziliani arriti të rikthejë skuadrën në shina, me një merkato të shpejtë dhe efektive, duke vënë në dispozicion të Gattusos emra si Higuain, Caldara, Laxalt, Bakayoko, etj., të cilët sjellin eksperiencë dhe cilësi në skuadër.
Me merkaton e mbyllur të Serisë A, Leonardo nuk ka ndërmend të humbë kohë dhe ka filluar që tani të planifikojë afrimet për sezonin e shitblerjeve të dimrit dhe atë të verës së ardhshme.
Për të sjellë emra të mëdhenj duhen para, ndaj edhe braziliani po studion edhe profile interesante, që mund t’i marrë me pak, ose pa para fare. Një nga ata është Adrien Rabiot, kontrata e të cilit me PSG-në skadon në verën e 2019-ës dhe Leonardo po nxiton ta bindë që më pas mesfushori t’i bashkohet Milanit.
Braziliani ka marrëdhënie të mira me nënën menaxhere të 23-vjeçarit, pasi njihen që në kohën kur Leonardo mbante pozicion drejtues te klubi francez i PSG-së.
Gjithsesi sfida e Leonardos është tashmë me sheikun e francezëve, Al Khelaifi, i cili ka gati një ofertë faraonike, për t’i marrë firmën e rinovimit mesfushorit.
Nëse Rabiot pranon të firmosë, mbetet te PSG-ja, ndërsa në të kundërt, Leonardo është gjithnjë e më i bindur ta sjellë në Milano dhe t’i ofrojë një rol prej protagonisti në skuadër.



