Lerda: Kukësi na vuri në vështirësi, por Partizani e meritoi Supërkupën
Trajneri i Partizanit, Franco Lerda, ia dedikon suksesin në Superkupë (përveçse familjes së tij), drejtorit të përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama, pai është ai që e ka ndërtuar skuadrën. Përtej suksesit, Lerda e pranoi se Kukësi e vuri në vështirësi skuadrën e tij.
“Dua t’ia dedikoj këtë fitore familjes sime dhe Olsi Ramës, sepse është ai që e ka ndërtuar këtë skuadër, por që nuk mund të ishte këtu për probleme personale. Ishte një ndeshje që e filluam shumë mirë. Mund të shënonim edhe të dytin apo të tretin, këtë keqardhje kam. Më pas Kukësi barazoi, luajti më mirë, por ne besuam dhe në fund luajtëm aq mirë sa në fillim dhe e merituam fitoren.”
Fitore e vështirë: Dua të shoh ndeshjen, për të korrigjuar gabimet. Ka pasur gabime tek goli i parë në vendosjen e lojtarëve. Ndodhi që goli i barazimit të Kukësit, na dëmtoi moralin dhe na futi në presion. Na bëri të gabojmë dhe djemtë tanë vuajtën mundësitë e humbura. Kukësi, me lojtarë të mirë fizik, na vuri në vështirësi pastaj. Ne bëmë një pjesë të parë të mirë, dhe pengu i vetëm ishte që nuk dyfishuam. Natyrisht, edhe Kukësi është një skuadër me vlera dhe ndonjëherë nuk të lë të shprehesh në mënyrën më të mirë. Ndonjëherë, nuk është thjesht çështje teknike apo taktike, por edhe mentale.
Kampionati në derë: Kampionati do të jetë i vështirë dhe kompleks. Janë 3-4 skuadra që luftojnë. Ishte e rëndësishme për ne që ta fillonim mirë sot. Tani do t’i dedikohemi kampionatit.



