Kombëtare

Lilaj: Kënaqësi që u riktheva, luaj ku të dojë trajneri

Sabien Lilaj është një nga të rikthyerit në kombëtare, nga trajneri Cristian Panucci. Mesfushori po kalon një moment të shkëlqyer te Skënderbeu dhe kjo nuk kaloi pa u vënë re nga stafi i kombëtares.

“Në radhë të parë jam i lumtur që jam rikthyer te kombëtarja, sepse është gjithmonë kënaqësi të luash për ekipin kombëtar. Jam stërvitur mirë dhe jam në formë, ndaj shpresoj që të kem disa minuta në dispozicion, në sfidën e nesërme”, tha Lilaj.

Mesfushori korçar vlerësoi Turqinë, si një kundërshtar i nivelit të lartë, por u shpreh se kombëtarja do të hyjë në fushë për të dhënë më të mirën, dhe pretenduar rezultat.

“Natyrisht që kundërshtari është i një niveli të lartë dhe këtë e dinë të gjithë. Kanë futbollistë që luajnë në klube të mira, por ne do të bëjmë lojën tonë. Do të kërkojmë të paraqitemi mirë dhe pse jo, të marrim edhe rezultat pozitiv në këtë sfidë”, tha korçari.

Sabien Lilaj tregoi se nuk e kishte takuar më herët Panuccin, ndërsa tha se preferon të luajë para mbrojtjes, sepse aty jep më të mirën.

“Nuk e kisha takuar asnjëherë Panuccin, por kjo nuk është e rëndësishme, sepse në kombëtare vlen vetëm paraqitja dhe forma e mirë, për t’u aktivizuar. Këto ditë këtu na shërbyen për t’u njohur më mirë, si me trajnerin, ashtu edhe me njëri-tjetrin dhe besoj se kemi bërë një punë të mirë. Roli im i preferuar është mesfushor para mbrojtjes, sepse aty ndihem mirë dhe besoj se jap më të mirën, por gjithsesi jam i gatshëm të luaj ku të më kërkojë Panucci.

Mesfushori i rikthyer te kombëtarja nuk la pa komentuar as periudhën e mirë që po kalon skuadra e tij, Skënderbeu, që e mbylli pa humbje fazën e parë të kampionatit.

“Jemi duke kaluar një moment të mirë, sepse kemi një grup lojtarësh që luajmë prej kohësh bashkë. Niveli i profesionalizmit është i lartë dhe kjo është përkthyer në rezultate. Natyrisht që do të jetë e vështirë të ruajmë ecurinë pa humbje, por e rëndësishme është që të mos e vëmë në dyshim asnjëherë fitoren e titullit, që është edhe objektivi ynë në këtë sezon”, tha Lilaj.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency