Kategoria Superiore

Limaj: Emocione për derbin e parë, tani të mposhtim edhe Vllazninë (Video)

Vesel Limaj është njeriu i derbit, pasi vendosi fatin e takimit me një penallti të ekzekutuar saktë në shtesën e pjesës së parë, ndërsa pas ndeshjes tregoi emocionet e ndeshjes në “Gol pas Goli”, në Supersport.

“Ishte një ndeshje me shumë emocione dhe ndonëse e kisha imagjinuar kështu, kur u futa në fushë u harrova dhe isha në botën time, duke menduar vetëm për lojën. Ishte derbi i parë i imi, megjithatë në fushë u harruan emocionet.

Kur merr penalltinë, duhet të jesh i ftohtë dhe i sigurt, por unë pashë edhe pak portierin, para se të vendosja të gjuaja. Nuk kisha frikë aspak, pasi po të ishte ndryshe, nuk do e kisha marrë topin fare.

Kisha përballë tifozët e Tiranës dhe jam i kënaqur që kemi tifozërinë më të mirë në Shqipëri. Pjesën e parë ishim më mirë, ndërsa në të dytën u tërhoqëm pak, por besoj se merituam më shumë të fitonim. Ishim kompaktë në mbrojtje dhe këtu bëmë diferencën në derbi.

Kjo fitore na jep shumë besim dhe siguri për javën tjetër në Shkodër. Jemi një grup fantastik, me djem të mirë, që luftojnë fort për titull. Pikërisht për këtë arsye jemi në vend të parë. Ndërrimin, trajnei më tha se e bëri për shkak të kartonit, pasi nuk donte të rrezikonte dhe është ok”, deklaroi Limaj.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency