Lisat e arbitrave për Katar 2022, 6 gra dhe një “gafaxhi”
Për herë të parë në histori, një Kupë Bote do të zhvillohet në dimër dhe jo në verë siç është edhe tradita e këtij kompeticioni. Katar 2022 do të nisë më datë 21 nëntor për t’u mbyllur më datë 18 dhjetor ndërsa po ashtu për herë të parë në një Kupë Bote, pjesëmarrëse do të jenë edhe gjashtë arbitre femra.
Tre do të mbajnë statusin e arbitreve kryesore dhe tre do të jenë në rolin e asistenteve. Ndërkohë, në listën prej 129 zyrtarëve të përzgjedhur nga FIFA, nuk mungon edhe arbitri nga Zambia, Janny Sikazwe. Ky i fundit u bë i famshëm në ndeshjen mes Malit dhe Tunizisë e vlefshme për Kupën e Afrikës teksa gaboi dhe e mbylli ndeshjen pesë minuta para se kronometri të fiksonte minutën e 90-të.
Megjithatë, pasi kuptoi gabimin, arbitri e rinisi ndeshjen por sërish nuk e shmangu gafën e radhës, pasi e mbylli takimin 30 sekonda para se të regjistrohej minuta e 90-të. Gjithsesi, gabimi nuk i ka kushtuar rëndë Zikazwe që mesa duket është falur nga FIFA dhe i është dhënë një mundësi e dytë për të treguar vlerat, tashmë në kompeticionin më të rëndësishëm në futboll, Kupën e Botës.
Sakaq, në një farë forme edhe Italia do të jetë pjesë e Katar 2022, teksa axurrët përfaqësohen nga arbitrat Daniele Orsato (kryesor), Massimiliano Irrati (VAR), Paolo Valeri (VAR), Ciro Carbone (asistentë) dhe Alessandro Giallitini (asistentë).



