Champions League

Liverpooli bën mrekullinë në “Anfield”, nxjerr jashtë Messin dhe kalon në finale

Liverpooli realizoi përmbysjen e madhe në “Anfield Road”, ku arriti të shënojë plot 4 herë në portën e Ter Stegen, aq sa i duheshin për të nxjerrë jashtë Ligës së Kampionëve, Barcelonën e Lionel Messit.

Pa dy nga yjet e skuadrës si Salah dhe Mane, të besuarit e Jurgen Klopp dhuruan një 90-minutësh në kufijtë e perfektes dhe arritën që në mënyrë tërësisht të merituar, të sigurojnë finalen e Championsit, për të dytin edicion radhazi.

“The reds” e nisën vrullshëm takimin dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin që në minutën e 7’, pas golit të shënuar nga sulmuesi belg, Divock Origi, i cili mori një pasi në zonë nga Henderson dhe nuk fali përballë portierit Ter Stegen.

Më pas pjesa e parë ishte e balancuar, me Barcelonën që iu afruar 2-3 herë golit, por fillimisht ndaj Jordi Alba dhe më pas ndaj Suarez, portieri Alisson bëri më të mirën, duke u hequr mundësinë ta dërgonin topin në rrjetë.

Starti i pjesës së dytë ishte sërish magjik për Liverpoolin dhe në minutat 54’ dhe 56’ ishte mesfushori holandez Wijnaldum, i cili mposhti dy herë radhazi portierin Ter Stegen, duke çuar rezultatin 3-0.

Holandezi fillimisht shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë të “the reds”, që u konkretizua me një top të bukur nga krahu, të dhënë nga mbrojtësi Alexander-Arnold, ndërsa golin e dytë e shënoi me kokë, pas një krosimi nga Shaqiri.

Me rezultatin 3-0 gjithçka u bë e barabartë në “Anfield Road”, ndërsa trajneri i Barcelonës nisi të kryejë zëvendësimet e para, për të tentuar të shënojë një gol në portën e Alisson. Rastet i patën Messi dhe Suarez, por braziliani i Liverpoolit u tregua sërish i gatshëm të ndalë çdo gjë në drejtim të tij.

Më pas, në minutën e 79’, Liverpooli fitoi një goditje nga këndi, të cilën Alexander-Arnold e ekzekutoi me shpejtësi, duke gjetur të lirë Origin, me belgun që dërgoi topin në rrjetë për herë të katërt, duke shfrytëzuar faktin që mbrojtja katalane “ishte në gjumë”, pasi nuk e priti ekzekutimin e shpejtë.

Tentativat e fundit të katalanëve, për të shënuar një gol që do t’u jepte kualifikimin, rezultuan të pasuksesshme, pasi “the reds” u rreshtuan mirë mbrapa, duke mbajtur larg zonës sulmuesit kundërshtarë.

Liverpool realizon kështu përmbysjen e madhe, duke zhvlerësuar humbjen 3-0 në “Camp Nou” dhe duke u bërë finalistja e parë e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, ndërsa nesër në mbrëmje do të mësojë edhe kundërshtarin, që do të dalë nga çiftin Ajax-Tottenham.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency