Liverpooli i pandalshëm, “shtyp” dhe Tottenhamin në “Wembley”
Fund emocionues dhe spektakolar në përballjen e “Wembley”-t mes Tottenhamit dhe Liverpoolit. Të besuarit e Jurgen Klopp arritën një fitore të madhe 1-2 në një ndeshje të dominuar prej tyre, por që u rihap në kohën shtesë, duke mbajtur në ankth të madh të pranishmit në mitikun e Londrës.
Ndeshja nisi me një episod tepër të diskutueshëm që në minutën e parë, teksa Mane realizoi për Liverpoolin, por në mënyrë të pabesueshme goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, dominimi i të kuqve vijoi dhe holandezi Wijnaldum goditi saktë me kokë në minutën e 39-të, pas një këndoreje, duke e bërë të pavlefshme ndërhyrjen e Hugo Lloris, pasi topi i kthyer nga portieri francez, sikurse treguan edhe pamjet e përsëritura, e kishte kaluar vijën e portës. Të paktën këtë radhë, vendimi i gjyqtarëve ishte i drejtë. 0-1
Liverpooli e nisi me mentalitetin e duhur edhe pjesën e dytë dhe në të 54-ën arriti të dyfishonte shifrat me Firminon, që e pati të thjeshtë ta shtynte topin drejt rrjetës.
Futbollistët miq patën të tjera mundësi nëpërmjet kundërsulmit për të mbyllur ndeshjen, por nuk i shfrytëzuan, ndërsa në shtesë u futën në stres, kur argentinasi Lamela shkurtoi në 1-2 diferencën. Gjithsesi koha ishte e pamjaftueshme që Tottenhami të shmangte humbjen përballë kryesuesve të Premier Leagues, që pas 5 ndeshjes mbeten të parët me pikë të plota.



