Llapi vazhdon ndjekjen ndaj kreut, Gjilani-Flamurtari sfidë direkte për mbijetesën!
Pas Feronikelit dhe Prishtinës, e diela është dita e Llapit në IPKO Superligën e Kosovës. Në javën e 30-të skuadra nga Podujeva pret në shtëpi Trepça ’89 në një sfidë delikate edhe pse llapjanët e Tahir Batatinës janë dukshëm favoritë. Me një sukses sot Llapi do të barazonte Prishtinën e vendit të dytë në kuotën e 69 pikëve dhe do të shkonte me moralin në maksimum në përballjen direkte me kryeqytetasit që luhet javën e ardhshme, ndërsa do të regjistronte edhe fitoren e 7-të radhazi. Në orën 16:00 luhen edhe tre sfida të tjera ndërsa përveç takimit Llapi-Trepça ’89 në ekranin e Supersport nuk do të mungojë as dueli direkt për mbijetesën mes Gjilanit dhe Flamurtarit me vendasit e Gentjan Mezanit që do të tentojnë me çdo kusht fitoren që do të ishte e para edhe për trajnerin vlonjat në stolin e “skifterave”. Përsa i përket dy ndeshjeve të tjera Ballkani do të sfidojë KEK-un në transfertë ndërkohë që Ferizaj në formë të shkëlqyer pret në shtëpi Lirinë e Prizrenit.



