Kategoria Superiore

Lojtarët pa skuadër, emra me peshë në “vitrinën” e Superiores

Merkatoja në Shqipëri mbyllet në fund të Gushtit dhe normalisht koha është e mjaftueshme për të gjithë ata që aktualisht ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët më asnjë klub. Lojtarët në “vitrinë” janë emra të rëndësishëm, duke nisur nga ish-kapiteni i Partizanit , Idriz Batha. 26-vjeçari pretendon një aventurë jashtë Shqipërisë, por, nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, atëherë do të ishte një goditje e madhe për çdo klub shqiptar.

E njëjta situatë është edhe për ish-lojtarin e Skënderbeut dhe të Kombëtares Shqiptare, Renato Arapi. Mbrojtësi është ende në pritje të një telefonate nga Turqia, por nëse klubet turke nuk kanë ofertë, Arapi do të ishte një tjetër futbollist që do të përforconte çdo ekip në vendin tonë. Ditmar Bicaj zhvilloi një sezon në tërësi pozitiv te Flamurtari, megjithatë nuk do ta vijojë aventurën e tij në Vlorë dhe, megjithëse u përfol për një transferim jashtë vendit, ai është ende në treg.

Gjithashtu një tjetër element mjaft i vlefshëm është Isli Hidi. Portieri, i cili prej dy vitesh aktivizohet rregullisht në kampionatin qipriot me Olympiacos Nicosia, pavarësisht se nuk i ka munguar oferta e rinovimit, kërkon të rikthehet në Shqipëri. Paraqitjet e ish-“gardianit” të Kombëtares kanë qenë të një niveli të lartë dhe afrimi i një portieri me eksperiencë mund t’u shërbejë disa klubeve që po vuajnë në këtë pozicion delikat.

Për ta mbyllur me grupin e Skënderbeut. Gjergji Muzaka, Tefik Osmani, Gledi Mici, Kristi Vangjeli, Marco Radas dhe Emiliano Vila nuk kanë më kontratë me kampionët e Shqipërisë dhe, megjithëse disa prej tyre po negociojnë rinovimin, është fakt që për momentin janë ende pa skuadër, por kjo situatë nuk do të zgjasë edhe për shumë kohë.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency