“Longo i fiksuar”, Musta: Gabim rikthimi te Partizani, çfarë më tha Olsi Rama
Kukësi fitoi 0-2 në Rrogozhinë përballë Egnatias, me Emiliano Mustën që dhuroi asistin e golit të dytë për Ndrecën. Anësori i majtë i ekipit verilindor, foli pas fitores për “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku foli edhe rreth largimit nga Partizani.
“Kemi kaluar një javë të vështirë, por treguam që jemi ekip i madh që dimë të ringrihemi. E dominuam kundërshtarin dhe morëm një trepikësh shumë të artë. Pozicioni më i avancuar? Ma ka kërkuar trajneri, tani luaj pak më përpara, edhe pse preferoj të luaj si mbrojtës i majtë, por ne afrimet e reja po mundohemi të ndihmojmë ekipin.
Goli i Ndrecës? Trajneri na kërkon shumë në stërvitje, është fans i çmendur i pasimeve të shkurtra. Fitoren e sotme, ia dedikojmë trajnerit tonë të përgatitjes atletike, Iris Selimit, i cili ka humbur vëllanë. Duam t’i qëndrojmë pranë në këto momente, kjo fitore është për të.
Largimi nga Partizani? Të them te drejtën, nuk dua të flas shumë për të shkuarën. Ishte gabimi im në verë që zgjodha Partizanin. Kam qenë edhe më parë, por nuk më eci. Ishte një sfidë e imja, Partizani është ekip i madh, por tani jam i lumtur që jam pjesë e Kukësit.
Personalisht jam munduar të jap më të mirën. Pas largimit të stafit me në krye trajnerin Daja më thirri drejtori Olsi Rama, i cili më tha: nuk je në planet e së ardhmes, pasi ke qenë ndër më të dobëtit. Nuk jam superstar në Superiore, por kam vite në futboll dhe kërkova zgjidhjen e kontratës. Më mirë kështu kur nuk ndihesh mirë diku”, deklaroi 30-vjeçari nga Elbasani.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



