Longo “i vogël” para mikrofonave, tregoi se ka mbetur ende zv. trajner
Dy ndeshje radhazi pa fitore, i “djegin” jo pak trajnerit të Kukësit, Diego Longo, që pas humbjes me Laçin shfryu ndaj arbitrit Kridens Meta, ndërsa pas barazimit pa gola me Teutën zgjodhi të kapej me SuperSport.
Një mendim ndryshe i Sulejman Memës në lidhje me episodin e golit të anuluar të Kukësit ndaj Laçit, duket se nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit italian, që njoftoi se do të vijojë protestën duke mos folur për emisionin “Gol pas Goli” deri në kërkimin e një ndjese publike.
Një kërkesë qesharake kjo e Diego Longos, që ka mirëpritur gjithmonë lavdet e fjalët e mira për Kukësin e tij, por “u dorëzua” që në kritikën e parë, duke treguar se mbetet ende një zv. Trajner, ashtu siç tregon edhe CV-ja e tij dhe do t’i duhet ende shumë punë për t’u bërë trajner.
SuperSport bën një investim të jashtëzakonshëm, për të sjellë live dhe ekskluzivisht të gjithë ndeshjet e Abissnet Superiores, ashtu si edhe gjithçka rreth saj, përfshi edhe deklaratat e trajnerëve dhe ka ndërtuar raporte të shkëlqyera korrektese me të gjithë klubet, në mënyrë që të pasqyrojë e promovuar sa më mirë dhe në mënyrë profesionale futbollin shqiptar.
Një ndër mjetet për ta bërë këtë është padyshim edhe emisioni emblemë “Gol pas Goli”, që i shërben futbollit shqiptar me informacionet, analizat, komentet, deklaratat dhe gjithçka tjetër mbi ndeshjet e Abissnet Superiores.
Në SuperSport nuk censurohet askush, as analistët në studio, e aq më tepër trajneri Longo, fjalët e të cilit pas ndeshjes me Teutën, po i sjellim më poshtë…
“Dua të them që herën e fundit ndodhi diçka që nuk mund ta pranoj. I respektoj gazetarët dhe mediet, janë fuqi e botës së futbollit. Nëse flasim për tifozë, nuk mund të flasin në televizor. Mund të flas me tifozë të ekipit tim, jo të ekipeve të tjera.
Ajo që ndodhi herën e kaluar në studio nuk ishte e drejtë dhe, nëse nuk kërkohet një falje, atëherë unë nuk do të flas më. Unë mbaj përgjegjësi për punën time dhe dua që njerëzit të flasin në aspektin profesional, jo si tifozë”, – tha Diego Longo.



