Lotët e Icardit nuk mjaftojnë, pa Champions kapiteni largohet
Lotët e kapitenit Mauro Icardi ishin ato që tërhoqën më shumë vëmendjen pas përfundimit të ndeshjes Inter-Juventus, e fituar nga këta të fundit me rezultatin 2-3. Përtej polemikave që shkaktoi gjykimi, por edhe debatit për zëvendësimet e Spallettit, sulmuesi i Interit shpërtheu në lot menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare të takimit.
Natyrisht që me këtë gjest kapiteni tregoi edhe njëherë se e meriton shiritin në krah, ndërsa bëri për vete edhe ata pak tifozë zikaltër që e shikonin me dyshim. Gjithsesi, mediat italiane raportojnë se lotët e kapitenit nuk lidheshin thjesht me humbjen e asaj ndeshjeje, por me të ardhmen e vetë Mauro Icardit.
Drejtuesit e klubit e kanë të qartë se pa Champions do të duhet të vetë-financojnë merkaton dhe natyrisht që gishti është drejtuar nga largimi i kapitenit, që do të sillte 110 milionë euro në arkat e klubit, mjaftueshëm për të përfunduar blerjet e Rafinhës dhe Joao Cancelos, si dhe për të synuar ndonjë profil tjetër interesant, që do t’i shtonte vlerat ekipit.
Kapiteni e di mirë se në rast se zikaltrit nuk ia dalin të kualifikohen në Champions, do të duhet të bëjë gati valixhet, gjë të cilën për momentin nuk e preferon, pasi bashkë me familjen e tij jetojnë prej vitesh në Milano dhe largimi për në një tjetër shtet nuk shikohet me pozitivitet.
Ajo që i ka mbetur tashmë Icardit me shokë, është që të japin maksimumin në 3 javët e mbetura, për të shpresuar edhe në ndonjë ndalesë të Romës ose Lazios dhe për të arritur zonën Champions, si mënyra e vetme për të shpëtuar sezonin e zikaltërve, por edhe për të vijuar eksperiencën te Interi.



