Lufta ruse ndaj Ukrainës, FIFA jep zgjidhjen për futbollistët e përfshirë
Ukraina gjendet aktualisht nën sulmin e Rusisë e cila kërkon të marrë kontrollin e plotë të territorit të saj. Një situatë e vështirë teksa dëmet në njerëz kanë qenë të shumta çka ka detyruar ukrainasit të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar agresionit rus.
Kjo pjesë ka prekur edhe futbollin teksa të shumtë janë lojtarët të cilët tashmë janë larguar nga Ukraina pasi sigurisht për futboll nuk mund të flitet më. Nga ana tjetër, në Rusi ka pasur disa lojtarë por edhe trajnerë të huaj të cilët kanë menduar të mos e ushtrojnë më profesionin e tyre në këtë vend pasi janë kundër luftës që Rusia ka vendosur të zhvillojë.
Duke parë këto që po ndodhin në të dyja kampet, FIFA ka marrë një vendim të fundit duke bërë të mundur që lojtarët të cilët largohen nga Ukraina për shkak të luftës si dhe ata që dëshirojnë të mos luajnë në Rusi, të kenë mundësinë të ndërpresin kontrata me klubet aktuale pa pasur asnjë penalizim.
Ndërkaq, FIFA lajmëron edhe se lojtarët mund të nënshkruajnë me një klub të ri deri në datën shtatë prill dhe të vazhdojnë aktivitetin rregullisht. Në këtë formë, FIFA kërkon të shmangë penalizimin e futbollistëve si pasojë e luftës absurde të Rusisë ndaj Ukrainës.



