Luftë ashpër Barça-Real për Neymar, blaugranat në avantazh
Takimi i fundit në Paris ka thyer akullin duke mundësuar të bëhen hapa vendimtarë përpara për rikthimin e Neymar te Barcelona. Në bisedën ballë për ballë mes menaxherit të skuadrës blaugrana Eric Abidal dhe drejtorit sportiv të francezëve Leonardo janë hedhur bazat për transferimin e madh të verës. Katalanasit i kanë thënë jo kërkesës filestare të kampionëve të Francës që donin, Coutinho, Semedon, një tjetër lojtar në huazim dhe 100 milionë euro, me Barcelonën që propzoi kartonat e Coutinho e Rakitic plus një shumë rreth 50 milionë eurove, siç këmbëngul e përditëshmja katalanse Sport.es. Për sa i përket emrave të brazilianit dhe të kroatit PSG ka dhënë miratimin, ndërkohë që i konsideron shumë pak milionët e hedhura nga Barça në tavolinë, kjo është për momentin nyja e tratativës.
Te Barcelona shfaqin optimizëm, pasi janë të vetëdijshëm se Al-Khelaifi synon ta zgjidhë sa më shoejt çështjen që po krijon efekt negativ në gjithë ambientin parizien. Reali ndërkohë duke parë që është parakaluar në garë nga rivalët e përjetshëm, nuk dëshiron të dorëzohet dhe po mendon të luajë kartën Vinicius Jr, kartoni i të cilit vlerësohet rreth 70 milionë euro. Florentino Perez synon tani gjithçka për gjithçka, pasi emrat e propozuar, Bale, Modric dhe Isco nuk kanë gjetur miratimin e PSG, ndërsa braziliani i spostuar nga Hazard në krahun e djathtë, mund të miklojë bashkëtadhetarin e tij Leonardo.
Numri një i Los Blancos me këtë lëvizje do të kënaqte edhe Zidane që ka mbetur krejtësisht i zhgënjyer nga pamundësia për të arritur te Pogba. Shpresat e Realit të Madridit gjithsesi duhet të bëjnë llogaritë edhe me dëshirën e palëkundur të Neymar, që ëndërron të zbresë sërish në fushë në Camp Nou me fanellën e Barcelonës plot dy vjet pas asaj lamtumire të bujshme.



