Luftëtari firmos me dy brazilianë dhe portierin Çekrezi
Tre blerje për Luftëtarin në Antalia. Me skuadrën që është zhvendosur në Turqi për të zhvilluar minifazën përgatitore, ekipi është përforcuar në tre reparte.
Duke nisur nga porta, ku me bluzinjtë firmosi Amarildo Çekrezi. 24-vjeçari nga Elbasani dhe me një të kaluar te Anderlehti do të rrisë konkurrencën mes shtyllave, ku pas largimit të Mirakës alternativë e parë ka mbetur Shkëlzen Ruçi.
Portieri Çekrezi e ka nisur karrierën te Ergotelis, ndërsa pas aventurës me ekipet e moshave të klubit më të madh në Belgjikë u kthye në Greqi duke luajtur me Fokikos dhe Kalithean.
Luftëtari është përforcuar edhe me dy brazilianë, mbrojtësin e majtë, Jackson Ferreira Silverio dhe mesfushorin Marko Aurelio Barbieri. Pas shumë viteve të kaluara në futbollin brazilian, gjatë dy sezoneve të fundit 26-vjeçari Jackson ka luajtur në Greqi, ku kulmi i karrierës kanë qenë Kalithea dhe Trikala.
Përsa i takon Marco Aurélio-s, bëhet fjalë për një futbollist me shumë eksperiencë, që luan si mesfushor, por mund të përshtatet edhe në krahët e mbrojtjes. 34-vjeçari e njeh mirë futbollin europian, pasi ka zbarkuar në Greqi te Arisi i Selanikut në edicionin 2006-2007, duke kaluar pjesën më të madhe të karrierës në kampionatin helen.
Megjithë afrimet e reja, merkato te Luftëtari nuk mund të cilësohet ende e mbyllur, me drejtuesit e klubit që janë në kërkim edhe të një qendër-mbrojtësi për të përforcuar repartin difensiv, me goditjen e radhës që pritet të zyrtarizohet së afërmi.



