Luftëtari i plotë, rikthehen Bregu dhe Shkurtaj
Luftëtari kompletohet përpara ndeshjes së javës së 27-të të Superiores me Lushnjën. Trajneri Hasan Lika ka marë lajme të mira nga infermieria, e cila është boshatisur, pasi Dejvi Bregu dhe Vasil Shkurtaj janë rikthyer me grupin. Fantazisti vlonjat ka lënë pas dëmtimin që e penalizoi për duelin me Skënderbeun, duke u vendosur nën urdhrat e trajnerit kryeqytetas.
Pas disa ditësh intensive nën kontrollin e fizioterapistit, 22-vjeçari është kthyer i gatshëm për të dhënë kontributin e tij, duke nisur që këtë fundjavë në sfidën e shtëpisë ndaj Lushnjës. Te zikaltrit presin shpërthimin e numrit 21 në këtë sprint final të sezonit, teksa vetë futbollisti synon të ndihmojë skuadrën dhe të arrijë rekordin sezonal prej 9 golash të realizuar edicionin e kaluar.
Një tjetër vlonjat që ngroh trajnerin Hasan Lika është sulmuesi Vasil Shkurtaj, që ka lënë pas dëmtimin, duke u bashkuar me grupin. 26-vjeçari për herë të fundit ka zbritur në fushë në sfidën ndaj Flamurtarit në Vlorë, ku dhe shënoi golin e fitores. Në 4 takimet pasardhëse Shkurtaj ka munguar, me gjirokastritët që kanë fituar në shtëpi ndaj Kamzës dhe Kukësit, teksa janë thyer në transfertë nga Partizani dhe Skënderbeu.
Edhe pse sulmuesi ka marrë garancinë për të zbritur në fushë nga minuta e parë, pritet që trajneri Lika të mos rrezikojë, duke e projektuar si një alternativë në stol. Gjithashtu me skuadrën do të bashkohet edhe Kristal Abazaj pas aventurës për herë të parë me Kombëtaren Shqiptare.



