Kategoria Superiore

Luftëtari, këmbanat e alarmit për shpërfytyrimin e pësuar

Maji 2018 do të mbahet mend gjatë për Luftëtarin, pasi gjirokastritët për herë të parë siguronin pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s. Dy fitoret radhazi, me Skënderbeun dhe Lushnjën kurorëzonin një sezon fantastik, që vetëm startin nuk e pati të tillë. 3 muaj më pas atij momenti magjik, Luftëtari është shpërfytyruar.

Largimet e Kristal Abazajt dhe Dejvi Bregut sigurisht që janë një minus i madh, por koha po tregon se drejtuesit ndoshta kanë gabuar edhe me lëvizjet në stafin teknik. Largimi i Hasan Likës dhe ardhja e sllovenit Milos Kostiç nuk ka sjellë efektin e duhur, përkundrazi, skuadra ka pësuar regres.

Dështimi në Europë është shoqëruar me humbjen në shtëpi ndaj Kastriotit në sfidën hapëse të kampionatit. I njëjti start si një vit më pare, kur skuadrën e drejtonte uruguaiani Luis Curbello, me Luftëtarin që kishte humbur identitetin. Me këtë ecuri skuadra ka humbur jo vetëm kreditet në fushë, por edhe mbështetjen e publikut, çka u reflektua të shtunën në debutimin sezonal, aty ku kurreshtja është më e madhe për të kuptuar se çfarë ekipi do të jetë deri në fund.

Luftëtari i këtij sezoni nuk duket më ai ekipi i frikshëm, të paktën për momentin. Një humbje e tillë është një goditje e madhe në aspektin psikologjik dhe në një garë të egër vështirë që mund të ngrihesh pa patur reflektimin e duhur. Këmbanat e alarmit për këtë shpërfytyrim të gjirokastritëve kanë rënë me kohë, teksa mbetet për t’u parë nëse ekipi do të dijë të reagojë pa ndonjë ndërhyrje nga drejtuesit më të lartë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency