Kategoria Superiore

Luftëtari, kur cilësia nuk reflektohet në rezultate

Pas një sezoni të mrekullueshëm, Luftëtari nuk po ruan dot ritmin dhe këtë vit rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. Edhe pse kanë ruajtur pothuajse të gjithë grupin, duke mbajtur në skuadër “yjet” e edicionit të shkuar, gjirokastritët nuk po marrin dot rezultatet e duhura për të lundruar të qetë në klasifikim. Pavarësisht se loja mbetet pothuajse në të njëjtat nivele si një vit më parë, bluzinjtë janë për momentin në zonën e ftohtë të renditjes. Arsyet e një ecurie të tillë janë të shumta, duke nisur nga zgjidhja me vonesë e trajnerit të ri, për të vijuar me fazën përgatitore të cunguar, pa harruar gabimet e gjyqtarëve në ndeshje të veçanta si dhe në fund mungesa e përqendrimit përpara portës. Sigurisht që lëvizjet në staf nuk e ndihmojnë një skuadër, megjithatë pas ardhjes së Hasan Likës në krye të Luftëtarit loja ka ndryshuar rrënjësisht, me ekipin që tenton të shohë drejt sulmit, aty ku mungon finalizimi. Në Shkodër, ndaj Vllaznisë, ishte demonstrimi i radhës i një loje sulmuese, ku ra në sy zhdërvjellësia e talenteve të ekipit, por që mungonte kthjelltësia në finalizim. Mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë bën që bluzinjtë të mos jenë shumë konkretë përpara portës kundërshtare. Shifrat flasin për një ekip që shënon më pak se një gol për ndeshje. Të kesh në skuadër 3 “yje” të kampionatit shqiptar, elementët më të kërkuar në merkaton që lamë pas, është një paradoks që sulmi të prodhojë kaq pak. Ndoshta ngërçi në ekip mund të jetë psikologjik dhe drejtuesit duhet të gjejnë mënyrën e duhur për të rikthyer ekipin në parametrat e mëparshme. Cilësia në ekip nuk mungon, janë rezultatet që nuk jan të pritshmet në këtë sezon.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency