Luftëtari mbyll merkaton, Jakovljevic humbet ndeshjen e parë
Një javë përpara fillimit të kampionatit Luftëtari ka mbyllur llogaritë me merkaton dhe bëhet gati për të nisur sezonin me ambicien për t’u rikthyer sërish në Europë. Në Gjirokastër afrimi më i fundit ka qënë ai i Balsa Radovic, ish-lojtar i Flamurtarit. Gjatë verës, në ekip janë afruar më parë Maldin Ymeraj, Vladan Milosavljev, Nemanja Janicic si dhe portieri Hrvoje Bukovski.
Gjithashtu, janë afruar shumë futbollistë të rinj të perspektivës, që mund të jenë Abazaj apo Bregu i ri te bluzinjtë. Çekaj apo Oshafi janë dy lojtarë interesantë për të ardhmen, me trajnerin Milos Kostic që ka për detyrë integrimin e tyre në skaudrën e parë. Lajmi mirë nga infermieria është se qendërmbrojtësi Ivan Jakovljevic ka lënë pas dëmtimin dhe i është bashkuar grupit, pavarësisht se nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Kastriotit.
Stafi mjekësor nuk kërkon të rrezikojë me aktivizimin e 29-vjeçarit, pasi dëshiron rikuperimin e plotë të tij, duke qenë se shihet si kollona kryesore e repartit të prapavijës. Luftëtari do të debutojë sezonin e ri në ndeshjen shtëpiake ndaj skuadrës së sapongjitur në superiore Kastrioti, duel i programuar për të shtunën, në orën 16:45, dhe që do të transmetohet ekskluzivisht në Supersport, ashtu si i gjithë kampionati shqiptar për 4 edicionet e ardhshme.



