Kategoria Superiore

Luftëtari për Europën, Vllaznia për ‘qetësinë’, në Gjirokastër premtohet spektakël

Pa u mbushur ende 3 ditë nga një agresion barbar, në kufijtë e të pabesueshmes, ndaj trajnerit Ernest Gjoka, nuk do të jetë aspak e lehtë për Vllazninë, që të luajë një ndeshje, por futbolli duhet të flasë me gjuhën e tij, atë të fushës, edhe si një sinjal ndaj fenomenit, për të treguar se triumfon loja.

Në të dyja kampet bëjnë llogaritë e pikëve, pasi është një ndeshje vendimtare, sepse një fitore e Luftëtarit, distancon konsiderueshëm gjirokastritët nga zona e mbijetesës, duke i lejuar të mendojnë për Europën, ndërsa për Vllazninë, pas dy fitoresh, do të ishte një injeksion i rëndësishëm qetësie, për t’u shprehur më mirë në vazhdim.

Në termat e futbollit pritet një përballje interesante, sepse ndeshjet e Luftëtarit, falë kualiteteve, janë thuajse gjithmonë më të bukurat për t’u ndjekur, ndërsa edhe Vllaznia shprehet me një lojë të hapur, megjithatë mbetet për t’u parë nëse strategjia e Gjokës do të jetë ajo e bllokimit të lojës së talenteve të Luftëtarit për të përfituar me kundërsulmin.

Skuadra e Hasan Likës, që e nisi 2018 me një fitore të bujshme ndaj Skënderbeut, në takimin e fundit shpërdoroi një avantazh prej dy golash ndaj Laçit dhe kërkon rikthimin te fitorja. Trajneri nuk do të ketë lojtarë të rëndësishëm si Roca, Aleksi dhe Jakovlevic, ndërsa Dejvi Bregu nuk ka shënuar ende golin e parë për këtë vit dhe Abazaj nuk gjen rrjetën që nga takimi i fund-janarit me Skënderbeun, por të dy mbeten rrezik maksimal.

Nga ana tjetër, kemi Vasil Shkurtajn që ka shpërthyer me gola, duke shënuar 3 të tillë në dy ndeshjet e fundit në kampionat. Detyrë e vështirë për t’i mbuluar dhe njëkohësisht një provë force për mbrojtjen e Vllaznisë, të formuar kryesisht nga blerjet e janarit, ku Berisha dhe Malota funksionojnë në qendër, e po ashtu edhe Mersini dhuroi një provë të mirë ndaj Teutës në markimin e Çyrbja-s.

Për Vllazninë gjithsesi, pas një ngjarjeje shokuese, është më tepër çështje motivimi, pasi tani skuadrës i duhet të japë maksimumin, edhe për Gjokën. Sfida Luftëtari-Vllaznia do të startojë në orën 14:00 dhe do të transmetohet në Supersport 3.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency