Luftëtari “vlonjat” ndaj Flamurtarit
Pasi e ka parë për pjesën më të madhe nga poshtë lart, Luftëtari pret Flamurtarin në pozita komode dhe me qetësinë e klasifikimit. Nëse në pjesën e parë ishin vlonjatët që fluturonin lart në renditje duke qënë të qetë në vendin e dytë, tani kur po i afrohemi fundit situata ka ndryshuar kryekëput, me gjirokastritët që kanë patur një rritje të jashtëzakonshme. Merita sigurisht që shkon për trajnerin Hasan Lika që ka ditur të kthejë balancat në fushën e lojës dhe ndoshta duhet ti ndajë ato pikërisht me vlonjatët. Në merkaton e janarit ishin dy ndërhyrje që rezultuan deçizive, me Ivan jakovlevic dhe Lejdi Liçaj që fituan statusin e titullarit në ndryshim nga pjesa e parë e sezonit për zikaltrit. Dyshja që erdhi pikërisht nga Flamurtari ka përforcuar ndjeshëm repartin e prapavijës duke i dhënë siguri sulmit që ndjehet më i çliruar. Madje mbrojtësi i djathtë ka arritur të realizojë dy gola me Luftëtarin si dhe të japë disa asiste, duke qënë deçiziv në pikët e grumbulluara pas rifillimit të kampionatit në vitin 2018. Falenderimet për vlonjatët nuk duhet të mbarojnë këtu pasi dihet tashmë që një pjesë e mirë e futbollistëve të Luftëtarit vijnë nga akademia e Flamurtarit, ku përvec Liçaj dhe Jakovlevic, japin kontributin e tyre edhe kapiteni Orjad Beqiri, Vasil Shkurtaj dhe Dejvi Bregu. Nuk është çudi që për ta të ndjehet si një ndeshje brenda familjes madje dëshira për të bërë mirë është akoma më e madhe duke parë që në Vlorë shiheshin si të panevojshëm.



