“Luftoj për Serie A ose dal në mal me qentë”, aventura e trajnerit zgjat vetëm 26 ditë!
Vetëm 26 ditë ka zgjatur aventura e Silvio Baldinit në stolin e Perugias. Trajneri 64-vjeçar, i cili sezonin e kaluar ngjiti Palermon nga Serie C në Serie B, mori drejtimin e Perugias më 20 shtator, ndërkohë që sot është larguar nga drejtimi i ekipit pas humbjes 1-2 ndaj Sudtirol.
“Unë jam një trajner që jetoj për të shijuar emocione. Nëse nuk garoj për ngjitjen në Serie A preferoj të dal në mal me qentë e mi”, deklaroi Baldini gjatë prezantimit të tij, por në aventurën e ekipit që garon në divizionin e dytë të futbollit italian, ai regjistroi vetëm humbje.
Disfata e sotme shtëpiake ka sjellë fundin e durimit të Baldinit, i cili ka zgjedhur të japë dorëheqjen. Perugia renditet në vendin e fundit me 4 pikë dhe rrezikon seriozisht rënien në Serie C.
“Për respektin ndaj vetes, aventura ime ka përfunduar. Ky është një grup shumë i mirë futbollistësh, por nuk janë si familje. Secili mendon për veten e tij”, deklaroi tekniku italian pas largimit nga pankina e Perugias.




