Spanjë

Luis Enrique gjen sulmues për Botërorin, gati ftesa për 29-vjeçarin e Betis

Real Betis është një nga surprizat më të bukura në këtë sezon në kampionatin spanjoll. Skuadra e Manuel Pellegrini-t triumfoi në finalen e Kupës së Mbretit përballë Valencias, duke koleksionuar këtë trofe për herë të tretë në histori, ndërsa Betis është në garë edhe për vendin e katërt në La Liga, që do ta dërgonte skuadrën në Champions League sezonin e ardhshëm.

Mbrëmja e 23 prillit nuk ishte e veçantë vetëm për Betis, por edhe për sulmuesin spanjoll Borja Iglesias, autori i golit në minutën e 11-të, një gol i cili në fund rezultoi vendimtar për ta çuar sfidën në penallti.

Sulmuesi 29-vjeçar ka marrë “bekimin” e trajnerit të kombëtares spanjolle, Luis Enrique, me këtë të fundit që ishte i pranishëm në finalen e Kupës së Mbretit. Trajneri i Spanjës, në fund të sfidës votoi për sulmuesin, që u përzgjodh si lojtari i ndeshjes ndaj Valencias, ndërsa mediet spanjolle e konsiderojnë diçka të tillë si një ftesë zyrtare për lojtarin që të jetë pjesë e Spanjës në Katar.

Aktualisht, Iglesias numëron nëntë gola në kampionat, pesë në kupë dhe katër në Europa League, me një total prej 18 golash në 46 ndeshje këtë sezon, shifër e mjaftueshme për të marrë ftesën zyrtare. Spanjolli gjithashtu në këtë sezon shijoi edhe trofeun e parë në karrierë dhe te Betis, konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm.

Borja Iglesias, sot 29 vjeç, nuk ka luajtur asnjë ndeshje me kombëtaren spanjolle, por forma e mirë në këtë sezon si në aspektin personal ashtu edhe atë ekipor, duke sjellë pranë një ftesë që ndoshta as vetë sulmuesi nuk e mendonte në fillim të këtij sezoni. Ish-lojtari i Villarreal, Celta Vigo dhe Espanyol, numëron 381 ndeshje dhe 166 gola në karrierën e tij.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency