Lushkja: Sulmuesit na ndihmojnë shumë, duhen përforcime në janar
Regi Lushkja shënoi dy gola shumë të bukur ndaj Kastriotit dhe Laçi arriti fitoren e pestë radhazi në Abissnet Superiore. Numri 10 i bardhezinjve është ngjitur në kuotën e pesë golave sezonalë, teksa tha këto fjalë në prononcimin për “Gol pas Goli” në Supersport.
“E nisëm ndeshjen shumë mirë, realizuam një gol të shpejtë, menduam se e kishim ndeshjen nën kontroll, por u tërhoqëm dhe Kastrioti na vuri në vështirësi.
Sulmuesit na ndihmojnë shumë në fushë, Guindo-Zarubica-Mazrekaj na nxjerrin përpara dhe na ndihmojnë edhe në mbrojtje.
Çfarë i mungon Laçit për të tentuar titullin? E rëndësishme është që po ecim në rrugën e duhur. Ndeshjet e fundit kanë qenë intensive, lodhja është ndjerë në ndeshjet e fundit.
Duhen disa lojtarë me cilësi të mira që do na ndihmojnë shumë, pasi edhe stolin nuk e kemi shumë të mirë. Sigurisht që e kemi merituar këtë pozicion ku jemi, pse jo të tentojmë gjithçka më sipër”. Në fund një koment për të ardhmen e tij.
Largimi im në janar? Mbetet për t’u parë, nuk e dimë akoma”, përfundoi fantazisti i ekipit kurbinas.



