Basketboll

Magjia e Curry-t zhvlerëson talentin e Doncic, Raptors “thyejnë” Wizards

U luajtën shtatë ndeshje në NBA, ku skuadrat që kryesojnë konferencat respektive arritën të triumfonin dhe të ruanin pozicionet e tyre.

Golden State Warriors vuajtën jo pak në shtëpinë e Dallas Mavericks, por në fund arritën të merrnin një fitore të çmuar 114-119, që ishte e katërta radhazi për ta. Vazhdon të shkëlqejë për Dallasin Luka Doncic, që realizoi 26 pikë, por përballë Stephen Curry-t, që e mbylli takimin me plot 48 pikë, 33 prej të cilave me gjuajtjet nga distanca, talenti i madh slloven u duk i vogël.

Ekuilibër edhe në sfidën mes Denver Nuggets dhe Portland Trail Blazers, e fituar nga të zotët e shtëpisë 116-113. I papërmbajtshëm për Nuggets Nikola Jokic, me 40 pikë, 8 asiste dhe 10 topa të kontrolluar poshtë koshit, por nuk duhet nënvlerësuar edhe ndihma e madhe që dha Jamal Murrey me 24 pikët e tij. Për Blazzers nuk mjaftuan Damian Lillard dhe McCollum respektivisht me 26 dhe 18 pikë.

U duk sikur nuk do të përfundonte kurrë përballja mes Washington Wizards dhe Toronto Raptors. Vetëm pas dy kohëve shtesë skuadra kanadeze arriti të triumfonte me vetëm dy pikë diferencë 138-140. Koha e rregullt, në fakt, përfundoi 124-124, por edhe në përfundim të 5-minutëshin e parë shtesë nuk doli një fitues (131-131). Kohën e dytë shtesë e nisi më mirë Washingtoni, por një 3-pikësh i Serge Ibakas 15 sekonda para fundit u dha suksesin Raptors. Në parketin “Capital One Arena” dominuan Kawhi Leonard (41 pikë e 11 rikuperime) dhe Bradley Beal (43 pikë, 15 asist dhe 10 rikuperime), por përtej statistikave më të mira të “yllit” të Wizards, festa ishte për kundërshtarin e tij të Raptors.

Dominim i Milwaukee Bucks në parketin e Atlanta Hawks 114-133. Sërish në plan të parë doli Giannis Antetokoumpo me 33 pikë, i ndihmuar edhe nga Eric Bledsoe  me 24 pikë dhe 10 asiste. Në radhët e Hawks më i miri rezultoi Trae Young me 26 pikë dhe 10 rikuperime.

Orlando Magic iu imponuan 116-109 Houston Rockets, duke zhvlerësuar paraqitjen mbresëlënëse të James Harden, që e mbylli takimin me plot 38 pikë e 12 asiste, ndërsa Philadelphia 76ers fituan me vetëm 3 pikë diferencë 105-108 në parketin e New York Knicks.

Vazhdojnë të vuajnë pa shërbimet e LeBron James Los Angeles Lakers. Skuadra e drejtuar nga Luke Walton u mposht 95-101 brenda në “Stpales Center” nga ish-ekipi i “Mbretit” James, Cleveland Cavaliers. Kyle Kuzma e Brandon Ingram me 29 dhe 22 pikë, nuk mjaftuan për të shmangur disfatën e Lakers.

 

Rezultatet:

Washington Wizards – Toronto Raptors 138-140 dts

New York Knicks – Philadelphia 76ers 105-108

Atlanta Hawks – Milwaukee Bucks 114-133

Orlando Magic – Houston Rockets 116-109

Dallas Mavericks – Golden State Warriors 114-119

Denver Nuggets – Portland Trail Blazers 116-113

Los Angeles Lakers – Cleveland Cavaliers 95-101

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency