Mainzi përmbys Leverkusenin, e bën për “aspirina”
Bayer Leverkuseni i ka dhënë fund serisë prej katër fitoresh radhazi, teksa është mundur nga Mainzi në transfertë me rezultatin 3-2. Përmbysje e çmendur e vendasve, të cilët në harkun kohor të pak minutave befasuan “aspirinat”, të cilët ndalin vrullin e tyre e megjithatë mbeten në vendin e tretë. Leverkuseni arriti që në të 35-tën të zhbllokonte rezultatin me Patrik Schik, i cili u shërbye saktë nga Demirbay.
Goli i 20-të sezonal për çekun, i cili konfirmohet si lider i kësaj skuadre. Në pjesën e dytë Martin arriti që të vendoste ekuilibrin me një gol fantastik nga një goditje dënimi. Mainzi kërkoi që të shfrytëzonte momentin, teksa katër minuta më pas e gjeti rrugën e rrjetës me Onisiwou, por sistemi VAR sinjalizoi pozicion të parregullt. Leverkusen reagoi dhe shënoi sërish, këtë herë me anë të Alario. Në të 84-ën nisi dhe përmbysja e madhe. Boetius arriti që të vinte ekuilibrin fillimisht, ndërsa katër minuta më vonë Ingvartsen shënoi dhe golin e përmbysjes së madhe, duke shokuar Leverkusenin. Në fund tri pikë për Mainzin, që shkon në kuotën e 34 pikëve, duke vijuar garën për një vend në kupat e Evropës edicionin e ardhshëm.



