Man.City e feston me goleadë titullin, tifozët pushtojnë fushën
Edhe pse e fitoi zyrtarisht titullin një javë më parë pas humbjes së rivalëve të Manchester United ndaj WBA, Manchester City nuk bën aspak skonto dhe e feston në mënyrën më të mirë përpara tifozëve të tij titullin e fituar. Citziens shkatërruan me rezultatin e thellë 5-0 Swansea City, që nuk ka siguruar ende mbijetesën duke mos patur aspak mëshirë për skuadrën uellsiane. Në fund festa ishte e gjitha për tifozët e Citiziens të cilët pushtuan fushën duke festuar me idhujt e tyre. Megjithatë skuadra e Guardiolës trofeun do ta marrë vetëm në javën e fundit. Golat për Manchester City-in në këtë sfidë u realizuan nga David Silva, Sterling, De Bruyne, Bernardo Silva dhe Gabriel Jesus i cili shpërdoroi edhe një 11-metërsh. Një sukses ky që e ngjiti ekipin e Pep Guardiolës në kuotën e 90 pikëve, me City që nëse grumbullon 10 pikë në 4 sfidat e mbetura mund të kapë kuotën e 100 pikëve në këtë sezon. Në ndeshjet e tjera të së dielës në Premier League, Stoke City ku luan edhe futbollisti me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri është gjithnjë e më pranë rënies pasi barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Burnley-it, ndërsa Arsenali edhe pse pa objektiva dhe mendjen te Europa League fitoi 4-1 derbin ndaj West Ham, sfidë në të cilën Lacazette realizoi një dygolësh.



