Man.City-Liverpool/ De Bruyne dhe Klopp ulin presionin e finales: Nuk përfundon të dielën!
Të dielën në orën 17:30, Manchester City pret në Etihad Stadium, Liverpoolin. Një sfidë e cila do të jetë si një finale për të dyja skuadrat duke qenë se në renditjen e Premier League ndahen me vetëm një pikë, e cila është në favor të “Qytetarëve”.
Së fundmi, trajneri Jurgen Klopp, por edhe fantazisti Kevin De Bruyne kanë provuar të ulin euforinë e kësaj ndeshje duke u shprehur se titulli nuk do të vendoset të dielën, pasi në vazhdim mbeten edhe shtatë takime për të përmbyllur kampionatin.
“Nëse fiton ndaj City-t që është diçka e shumë e vështirë, të gjithë do të mendojnë se tashmë kampionati ka përfunduar. Ne e dimë rëndësinë e asaj ndeshje, por pas sfidës me City-n ka edhe shumë takime të tjera”, u shpreh Klopp.
Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Kevin De Bruyne, i cili theksoi se nuk ka rëndësi nëse fitojnë, barazojnë apo humbasin ndaj Liverpool, pasi sërish kampionati nuk do të vendoset në Etihad duke qenë se mbeten ende shumë pikë në lojë.
“Si një lojtar, kërkon t’i luash dhe t’i fitosh këto ndeshje. Janë sfida të mëdha dhe janë pikërisht ato që të duhen për të fituar trofe, por në këtë rast mbeten edhe shumë pikë në lojë, ndaj me Liverpool për ne nuk do të ketë shumë rëndësi nëse fitojmë, barazojmë apo humbasim”, u shpreh De Bruyne.
Megjithatë, këto deklarata duket se shërbejnë më shumë për të ulur presionin pasi me formën që dy skuadrat kanë shfaqur në këtë sezon vështirë se mund të gabojnë, vetëm nëse nuk përballen ndaj njëra-tjetrës, ashtu siç do të bëjnë të dielën në 17:30, një sfidë e cila do të transmetohet në Supersport.



