Man. City-Liverpool rivalitet edhe në pankinë, përballje nën “siglën” e trajnerëve
Manchester City dhe Liverpool do të vihen sërish përballë njëra-tjetrës, në një betejë përcaktuese për titullin kampion. Dy gjigantët anglezë kanë vendosur veton gjatë viteve të fundit në Premier League, duke prodhuar një rivalitet të zjarrtë dhe me emocione të pakrahasueshme. Një panoramë e ngjashme është rikthyer edhe në sezonin aktual, ku “The Citizens” kryesojnë tabelën me 73 pikë, vetëm një më shumë se ndjekësit e Liverpool.
Protagonistët kryesorë të konkurrencës sugjestionuese janë padyshim edhe dy strategët e skuadrave, Pep Guardiola dhe Jurgen Klopp. Një rivalitet modern që mund ta krahasosh fare lehtë me atë të super-heronjve të “Marvel”, Superman dhe Batman, dy superfuqi që kanë prevaluar mbi kundërshtarët e tjerë, duke vendosur standarde të larta, siç kanë bërë edhe dy trajnerët në Premier League.
Vlen të përmendet që dueli mes dy ekipeve u intensifikua akoma edhe më shumë në pesë vjecarin e fundit, kur fillimisht ‘The Reds’ i eliminuan bindshëm “Qytetarët” nga çerekfinalet e Champions League në 2017-2018 me rezultatin e përgjithshëm 5-1, një kompeticion që skuadra e Klopp e fitoi vetëm një sezon më vonë. Revanshi i ‘Qytetarëve’ nuk vonoi, teksa në edicionin 2018-19 fituan titullin kampion në ditën e fundit të kampionatit, ku në mënyrë ironike, një pikë ishte sërish diferenca e vetme mes klubeve.
Në sezonin pasardhës, Liverpool koleksionoi titullin e 19-të, me një kuotë prej 99 pikësh dhe me një distancë të konsiderueshme pikësh nga Manchester City. Sidoqoftë, sezoni 2020-2021 nuk pati shumë histori, me Manchester Cityn që triumfoi me një epërsi relativisht të thellë ndaj rivalëve, ndërkohë që ambiciet e Liverpool për kurorën më të çmuar në ishull u venitën shumë shpejt, për shkak të kalvarit të gjatë të dëmtimeve të skuadrës.
Jurgen Klopp dhe Pep Guardiola ia kanë dalë shkëlqyeshëm të adaptohen me tranzicionin e kalimit nga përballja në ‘Der Klassiker’ mes Borussia Dortmund dhe Bayern Munich për t’u zhvendosur te një nga rivalitetet më të ndjera në historinë e futbollist anglez, një konkurrencë që do ta kishin zili dhe dy ikona si Sir Alex Ferguson dhe Arsene Wenger.
Në 22 raste janë ndeshur së bashku trajnerët, marrë në llogari edhe sfidat në Bundesliga, nëntë fitore i përkasin secilit në mënyrë respektive, ndërkohë që katër ndeshje janë ndarë në barazim, teksa edhe beteja e fundit e luajtur në “Anfield Road” u mbyll pa fitues.
Përtej garës së ethshme në fushën e lojës, respekti është fjala që dominon raportin mes trajnerëve jashtë tapetit të gjelbër. Një element i tillë është konfirmuar nga vetë teknikët në deklaratat për shtyp, kur shpreheshin se ‘është konkurrenca më e fortë që kemi hasur në karrierë’. Një konkurrencë që ka revolucionarizuar futbollin modern, që mbërthen me miliona tifozë pas ekranit sa herë luhet Manchester City-Liverpool dhe me sigurinë më të madhe nëse do të shkruhej një libër për të, padyshim që do të ishte një best-seller.



