Manchesteri “vishet” blu, De Bruyne dominon derbin ndaj United
Qyteti i Manchesterit është “veshur” blu, me derbin City-United u mbyll me rezultatin 4-1. Skuadra e Pep Guardiolës ka fituar tre pikë të vlefshme në “Etidah Stadium” dhe vijon të kryesojë e pacënuar Premier Leaguen.
Ritmin e këtij takimi e diktuan “citizenët”, të cilët zhbllokuan rezultatin në minutën e 5’ me Kevin de Bruyne. Në minutën e 22’ “Djajtë e Kuq” barazuan me Sanchon, i cili realizoi pas një asisti nga Pogba. Megjithatë, ky barazim zgjati vetëm pesë minuta, kjo pasi në minutën e 28’, De Bruyne do të realizonte dopietë, duke bërë që fraksioni i parë i kësaj supersfide të mbyllej me rezultatin 2-1.
Ndërsa pjesën e dytë, City do të vijonte dominimin total të derbit duke shënuar edhe dy herë të tjera në portën e De Geas. Ishte Mahrez ai i cili i dhuroi golin e tretë “citizenëve”, duke realizuar në minutën e 68’ pas një shërbimi nga De Bruyne, që në këtë takim ishte në top formë. Teksa në minutën e 90’, Mahrez do të realizonte dopietë dhe në të njëjtën kohë të shënonte golin e katërt për vendasit.
“Djajtë e Kuq” kishin mungesa të rëndësishme në këtë derbi, trajneri Ralf Rangnick luajti sot pa dy yjet e tij, Cristiano Ronaldon dhe Edison Cavanin, të dy të dëmtuar.
Ekipi i Guardiolës tregoi një formë të frikshme dhe blindoi më tej kryesimin e elitës së futbollit anglez, me plot 69 pikë. Teksa skuadra e Rangnick nga ana tjetër renditet e pesta me 47 pikë, një më pak se Arsenal i vendit të katërt, që është edhe pozicioni i fundit që mund të luajë në Champions League.



