Mancini “skanon” kampionatin dhe bën apel për aktivizimin e italianëve
Roberto Mancini ka ndjekur nga shkallët e stadiumit sfidën mes Juventusit dhe Lazios, ndërsa në përfundim të takimit, ka folur edhe për gjendjen e kombëtares italiane, që në Shtator do të luajë takimet e para të Ligës së Kombeve.
Ai tregoi se në skuadër nuk ka emra si Totti apo Baggio, por elementë të rinj, shumë interesantë, që kanë nevojë për vetëm pak eksperiencë, që gjithsesi e gjejnë me pikatore në ekipet ku luajë.
“Është mirë të punosh kur nuk ke një Baggio apo Totti në skuadër, pasi kemi një sërë djemsh të rinj, që janë gati të bëjnë hapin e madh dhe të konfirmohen. Gjithsesi skuadrat italiane duhet të besojnë më shumë te futbollistët dhe t’u japin më shumë minuta, pasi askush nuk rritet duke qëndruar në stolin e rezervave”, deklaroi Mancini.
Tekniku i kombëtares italiane foli edhe për Serinë A, ku natyrisht që konfirmoi Juventusin si pretendentin kryesor, ndërsa vlerësoi edhe merkaton e kryer nga ish skuadra e tij, Interi.
“Juventusi ka dominuar vitet e fundit kampionatin dhe me Ronaldon do të luajë tashmë për objektiva më madhorë, si Liga e kampionëve. Sa i përket klubeve të tjera, më pëlqen merkatoja e Interit, me shumë lojtarë të afirmuar, vlerat e të cilëve dihen tashmë. Napoli ndryshoi shumë pak, por tani ka Ancelottin, ndërsa Roma ka afruar shumë talente të rinj dhe mbetet për t’u parë”, deklaroi Mancini.



