Mane në pozicion jashtë loje, Sommer “superman”, Bayerni ndalet nga “macja e zezë”
Borussia Monchengladbach konfirmohet “macja e zezë” e Bayernit të Mynihut, pasi ka ndalur për herë të parë këtë sezon bavarezët, duke u marrë një pikë falë barazimit 1-1 në “Allianz Arena”.
Për të pestën ndeshje radhazi, Bayerni nuk fiton dot ndaj Borussia Monchengladbach, që pasditen e sotme iu fal portierit zviceran Ian Sommer, i cili ishte në një formë fantastike dhe ndali plot 19 gjuajtje drejt portës.
Bavarezët e Nagelsmann e nisën vrullshëm dhe ia dolën të shënojnë dy herë me Mane në pjesën e parë, por në të dy rastet sulmuesi senegalez ishte më i avancuar se mbrojtja kundërshtare dhe VAR-i i prishi festën.
Më pas ishte Marcus Thuram që në minutën e 43-të përfitoi nga një gabim i Upamecanos në mesfushë dhe u nise drejt portës, ku me qetësi “vrastare” mposhti Neuer dhe kaloi në avantazh skuadrën e Monchengladbach.
Pjesa e dytë u luajt sërish në portën e miqve, me Bayernin që provoi në të gjitha mënyrat të dërgojë topin në rrjetë, por Sommer fluturonte sa në një cep, në tjetrin, për t’u mohuar kënaqësinë e golit vendasve.
Leroy Sane ia doli të rikthejë baraspeshën në minutën e 83-të, ndërsa Nagelsmann provoi në fund edhe Mathijs De Ligt si qendër sulmues, por edhe goditja e holandezit, u grushtua në mënyrë fantastike nga Sommer.
Vërshëllima finale la në fuqi barazimin 1-1, i pari për këtë sezon për Bayernin e Mynihut, që kryeson renditje ne Bundesligës me 10 pikë, po aq sa ka edhe Union Berlin.



