Marrëdhënia e krisur me Simeonen, Suarez përgatit valixhet për në një tjetër destinacion
Luis Suarez është duke përjetuar momentin më të errët prej kur është transferuar te Atletico Madrid. Uruguajani është në një periudhë krize teksa nuk shënon prej datës shtatë nëntor me Los Colchoneros, ndërsa së fundmi marrëdhënie e tij me trajnerin Diego Simeone ka pësuar një krizë.
Tekniku argjentinas e ka zëvendësuar shpeshherë dhe kjo nuk i ka pëlqyer aspak sulmuesit, madje së fundmi, 34-vjeçari është duke menduar edhe lamtumirën nga Spanja. Për ish-futbollistin e Barcelonës ka interesim nga kampionati i MLS në Amerikë, konkretisht nga klubi i Inter Miami që është në pronësinë e David Beckham.
Inter Miami ka qenë edhe më parë pranë nënshkrimit me Luis Suarez në momentin që ky i fundit u largua nga Barcelona, megjithatë në atë moment sulmuesi kërkoi të mbetej protagonist në Europë. Por, tashmë, mund të jetë momenti i duhur që palët të bashkohen, edhe pse amerikanët nuk janë të vetmit që pretendojnë shërbimet e Suarez pasi në horizont janë edhe brazilianët e Corinthians.



