Marseille dhe Lazio ndajnë pikët, ngec Leicester!
Përfundoi në barazim 2-2 supersfida e mbrëmjes në raundin e 4-t të ndeshjeve në grupe të Europa League ajo mes Marseille dhe Lazios. Në Velodrome Milik kaloi skuadrën e Sampoalit në avantazh pas 33 minutash me penallti, por Felipe Anderson dhe Immobile në fundin e pjesës së parë dhe fillimin e së dytës përmbysën shifrat në favor të Lazios. Por Dimitri Payet në të 82-ën vendosi baraspeshën me Marseille që mori barazimin e 4-t radhazi duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në grupin E që kryesohet nga Galatasaray me 8 pikë. Një surprizë e bukur mund të konsiderohet edhe ndalesa e Leicester nga Spartaku i Moskës në shifrat 1-1 në grupin C, me Amartey që iu përgjigj golit të Moses për rusët. 2 raunde para fundit të 4-t ekipet përfshirë Napolin kryesues dhe Legian e vendit të dytë kanë shanse reale për t’u kualifikuar.
Dhuroi spektakël Bayer Leverkusen që fitoi 4-0 ndaj Real Betis falë dygolëshit të Diaby dhe finalizimeve të Wirtz dhe Amiri me aspirinat që hodhën një hap të sigurt drejt sigurimit të vendit të parë në grupin G ku kryeson me 10 pikë. Në ndeshjen tjetër fitoi Celtic 2-3 brenda në Budapest përballë Ferencvarosit të Uzunit që e bëri pak më të dhimbshme këtë humbje me golin e 2-3, i dyti për të në grupet e Europa League pas atij ndaj Real Betis. Mori një fitore të madhe në garën për vendin e 2-të në grupin H, Dinamo e Zagrebit që mposhti 3-1 me përmbysje Rapidin e Vjenës në një sfidë ku për kroatët shënuan Andric, Pektovic dhe Sutalo.
Preku pothuajse kualifikimin Braga në grupin C me suksesin 4-2 ndaj Ludogorets ndërkohë që Crvena Zvezda u surprizua në shtëpi nga danezët e Midtjylland që triumfuan me shifrat 0-1. Fitorja e parë në grup edhe për Fenerbahcen që triumfoi 0-3 ndaj belgëve të Antwerp me golin e 3-të që u realizua nga futbollisti me origjinë shqiptare por që përfaqëson Gjermaninë Mërgim Berisha.



