Martial i vendosur për të ardhmen, në janar pret transferimin në La Liga
Pas gjashtë viteve si pjesë e Manchester United, Anthony Martial këkon të ndryshojë ambient. Paraqitja e francezit ka ardhur në rënie, ndërsa aktualisht nuk është i preferuari i trajnerit, Ralf Rangnick, i cili e konsideron të fundit në hierarkinë e tij për repartin e sulmit.
Ndaj, alternativa më e mirë për sulmuesin duket transferimi në një tjetër kampionat, madje që në merkaton e janarit pasi për 26-vjeçarin ofertat nuk mungojnë. Destinacioni më konkret është Spanja me Sevillan që e pret krahëhapur futbollistin e United teksa edhe Martial ka dhënë miratimin për këtë transferim.
Ndërkohë, agjenti i tij ka konfirmuar bisedimet me andaluzianët të cilët e vlerësojnë lojtarin si një element që do t’i shtonte organikës shumë kualitet teksa aktualisht po luftojnë për kreun në kampionat dhe do të vazhdojnë garën europiane në Europa League.
Megjithatë, ende nuk ka një akord me spanjollët teksa problem mbetet paga e lartë prej 13 milionë paund që Martial përfiton në Angli, ndërsa te Sevilla nuk janë të gatshëm t’ia plotësojnë këtë shifër teksa lojtari duhet të ulë ndjeshëm pretendimet nëse kërkon të luajë në La Liga.



