Kategoria Superiore

Martini: Kemi bërë ndeshjen më të mirë të sezonit, ja pika e dobët e Teutës…

Edi Martini u rikthye te Teuta, pas tre javësh nga largimi, por provoi sërish shijen e humbjes, këtë herë 2-1 ndaj Tiranës në “Air Albania”. Megjithatë tekniku shkodran u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e të tijve dhe deklaroi se durrsakët u penalizuan vetëm për shkak të shpërdorimit të rasteve.

Si ishte ky rikthim me një ndeshje ku keni humbur shumë raste?
Unë mendoj se që nga ndeshja e parë, kjo ka qenë më e mira e ekipit, pasi luajtëm shumë mirë, dukej që ishim ne kampionët në fuqi, por humbëm shumë raste dhe u detyruam të dalim pa pikë.

Sa beson te kjo skuadër?
Më vjen shumë keq që pas një jave ndërpritet kampionati, pasi skuadra ka ardhur në gjendje mjaft të mirë dhe do të doja të vijonim të tregonim veten në fushë. Besoj shumë te ky ekip.

Skuadra duket se shpërdoron shumë…
Është e vërtetë që kualiteti në sulm dhe para porte, na mungon, Kemi humbur shumë raste, madje edhe sot dhe në një ndeshje si kjo ndaj Tiranës, është e tepërt të humbësh 5 raste shënimi. Është për të ardhur keq, pasi qarkullojmë topin dhe luajmë mirë, por nuk arrijmë të finalizojmë. Duhet ta rregullojmë këtë aspekt sa më shpejt.

Mos ndoshta duhet të pranoni që nuk jeni për titull këtë sezon?
Pikët janë ato që janë dhe nuk mund t’i diskutojmë, por është ende herët për të thënë këtë që nuk jemi për titull. Kampionati është i vështirë edhe po të jesh shumë pranë kreut, jo më me këtë diferencë pikësh, por në këtë kampionat mjafton të bësh 4-5 fitore radhazi dhe rikuperon. Është një kampionat i vështirë, pasi edhe Tirana, Kukësi, Vllaznia e Laçi po bëjnë shumë mirë dhe do të provojnë ta fitojnë titullin deri në fund. Ne kemi një ndeshje për të luajtur dhe më pas do të provojmë të afrojmë ndonjë futbollist, pasi kemi piketuar 2-3 emra. E vështirë, por të shohim se deri ku do të arrijmë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency